Haxhi Zeka “nxehet”: Është vetëm fillimi
nga AlbaniaSoccer   E martë, 08 Shtator 2009 11:30   Shtyp

zekaTakimi kundër Vëllaznimit ka qenë vërtet derb lokal. Arritëm t’i marrim tri pikë mjaft të vlefshme në një takim të vështirë. Sulmuesi është shprehur optimist se do ta vazhdojë serinë e shënimit të golave edhe në takimet e radhës. Kështu ka thënë të hënën autori i dy golave në fitoren e Besës, Haxhi Zeka.

“Arritëm t’i marrim tri pikë të plota në derbin lokal. Shënova dy gola në këtë takim, kurse tri gjithsej në këtë edicion. Besoj se do ta vazhdoj serinë e golave edhe në takimet e radhës, pasi me ardhjen e Mensur Durakut më është dhënë mundësia të luajë në vijën e parë të sulmit”, ka thënë Zeka, i cili është duke pritur rikthimin e partnerit të tij në fazën e sulmit, Krenar Vokshit.

“Vokshi ka pësuar një lëndim në këmbë. Gjendja e tij është përmirësuar dukshëm. Shumë shpejt do të rikthehet. Skuadra me të do të jetë më e fortë, pasi bëhet fjalë për një sulmues kualitativ”, ka shtuar Zeka.

 

Do t’i mposhtim shokët nga Drenica

 

Kapiteni nuk ka dashur të humbë shumë kohë për t’i paralajmëruar futbollistët e Drenicës se seria e zezë e rezultateve nuk do të përfundojë as në “Shahinhaxhiislami” në takimin që këto dy skuadra do ta zhvillojnë në këtë fundjavë.

“Kundër Drenicës do të jetë një takim shuam i veçantë, pasi në këtë skuadër janë Valdet Shoshi, Dukagjin Gashi dhe Fitim Haliti. Jemi optimistë se edhe në këtë takim do të dalim triumfues”, ka thënë ai.

Skuadra e drejtuar nga strategu Genc Hoxha, pas javës së pestë, renditet në pozitën e gjashtë me shtatë pikë të tubuara.


Veton Zymberi

komente