Flamurtari i Prishtinës me “Armaten” e vjeter e me objektiva te njejta
nga AlbaniaSoccer   E martë, 12 Janar 2010 14:38   Shtyp

flamurtari-prishtinaSkuadra e dytë nga kryeqyteti i Kosovës, Flamurtari, të mërkurën do t’i nisë përgatitjet për pjesën e dytë të garave që nisin më 6 mars. “Kuqezinjtë” e Prishtinës, të cilët drejtohen nga strategu Jusuf Tortoshi, tubimin e parë do ta mbajnë të martën, kurse një ditë më vonë do t’i nisin stërvitjet.

Trajneri i skuadrës, Jusuf Tortoshi, ka thënë se faza e parë e përgatitjeve do të mbahet në Prishtinë. Ai mendon se një fazë e përgatitjeve mund të zhvillohet në ndonjë vend të përshtatshëm jashtë Kosovës.

“Të martën do ta kemi tubimin e parë, kurse kemi paraparë që një ditë më vonë t’i nisim stërvitjet e rregullta. Fillimisht do të punojmë në stadiumin tonë, më pas mendojmë që një pjesë të përgatitjeve ta zhvillojmë në ndonjë vend jashtë Kosovës”, ka thënë Jusufi, i cili ka shtuar se, në skuadrën e tij ende s’ka asnjë përforcim. Sipas tij, Flamurtarit i duhen përforcime, në mënyrë që edhe në stinorin pranveror ta mbajë pozitën të cilën e përmbylli sezonin vjeshtor.

“Deri tash ka veç fjalë, asgjë më shumë. Ne ende nuk kemi arritur të sjellim asnjë përforcim, edhe pse skuadrës i duhen përforcime për ta ruajtur pozitën në të cilën gjendet. “Aktualisht,  përveç largimit të Faton Zejnullahut, kemi fondin të cilin e kemi pasur edhe në stinorin vjeshtor. Shpresojmë se deri në fund të këtij afati kalimtar të sjellim ndonjë përforcim. Objektivi ynë në pjesën e dytë të garave mbetet i njëjtë me atë që kemi arritur në pjesën e parë të garave”, ka thënë trajneri i Flamurtarit, Jusuf Tortoshi.

“Kuqezinjtë” e Prishtinës sezonin vjeshtor e përmbyllen në pozitën e tretë, me 27 pikë të tubuara, pesë pikë më pak se liderja Trepça dhe tri pikë më pak se Hysi, që mban vendin e dytë.

Fatmir Bytyçi

 

komente