Ilir Nallbani: Kosova ka kapacitet per nje kombetare dinjitoze! | ||||
|
Mesfushori i përfaqësueses së Kosovës në Futboll, Ilir Nallbani, që tash e pesë vjet është pjesë e futbollit të Shqipërisë, është shprehur i lumtur që ka marrë ftesë nga përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku. Nallbani aktualisht luan për Vllazninë e Shkodrës, madje konsiderohet një nga futbollistët kryesorë të skuadrës shkodrane. Nallbani të mërkurën do të pjesë e formacionit të përzgjedhjes së Superligës së Kosovës në takimin miqësor ndaj përzgjedhjes elitare të Shqipërisë. “Kam marr ftesë nga përzgjedhësi Albert Bunjaku. Jam i lumtur që të mërkurën do të jem pjesë e miqësores ndërmjet përzgjedhjes së Superligës së Kosovës dhe elitës së futbollit të Shqipërisë”, ka thënë Nallbani. “Ndonëse orari i ndeshjeve që zhvillojmë në Shqipëri është mjaft i ngjeshur, drejtuesit e klubit më kanë dhënë mundësinë që të mërkurën të jem në Prishtinë. Do të vij bashkë me ekspeditën e Shqipërisë dhe bashkë me të do të kthehemi në Shqipëri”. Ish-futbollisti i Besës së Pejës ka thënë se të mërkurën është rasti i mirë për të parë cilësitë që ka futbolli i Kosovës dhe i Shqipërisë. “Ndeshja është revyal, për faktin se luhet, për nder të ditës së pavarësisë së Kosovës. Ky takim është rasti i mirë për ta parë nga afër kualitetin e futbollit të Kosovës dhe Shqipërisë. Besoj se adhuruesve të futbollit, që do të jenë në tribunat e stadiumit, do t’u dhurojmë një ndeshje të pëlqyeshme”, ka theksuar Nallbani. Kjo ndeshje do të jetë e para që zhvillohet nën drejtimin e përzgjedhësit të përfaqësues së Kosovës, Albert Bunjakut. Nallbani thotë se Kosova ka kapacitet që të krijojë një përfaqësues të denjë. “Kosova gjithnjë ka pasur talentë të mirë të futbollit. Jam i bindur se përfaqësuesja e Kosovës në të ardhmen do të jetë një skuadër e denjë, për faktin se ka potencial ta bëjë një gjë të tillë”, ka pohuar Nallbani.
Me Vllazninë kërkon Evropën
Mesfushori pejan, Ilir Nallbani, i cili që tre sezone mbron ngjyrat e Vllaznisë së Shkodrës, kërkon që me këtë skuadër të sigurojë një vend në kupat evropiane. Ai ka thënë se objektiv primar i Vëllaznisë është kupa e Shqipërisë. “Ne në pjesën e dytë të garave kemi nisur t’u kthehemi rezultateve pozitive. Jemi ende larg pjesës së epërme të tabelës, por ne objektiv primar kemi kupën e Shqipërisë, rrugë që çon në Evropë. Besoj se kemi skuadër që mund t’i arrijmë synimet e klubit”, ka përfunduar mesfushori i Vllaznisë, Ilir Nallbani. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 4227 |