U-21/ Kosova pësoi humbje me penallti nga Gana | ||||
|
Përfaqësuesja e Kosovës U-21 ka debutuar me paraqitje dinjitoze në arenën ndërkombëtare. Djelmoshat e drejtuar nga trajnerët Rafet Prekazi e Erdogan Celina, të mërkurën në mbrëmje, në Krans Montana të Zvicrës, kanë pësuar humbje nga kombëtarja e Ganës U20, në kuadër të turneut “Valais Youth Cup”, vetëm pas penalltive 5:4, pasi ndeshja në kohën e rregullt u mbyll pa fitues, 2:2. Në pjesën e parë ganezët kanë pasur paraqitje më të mirë sesa të përzgjedhurit e Rafet Prekazit. Ata shënuan qysh në minutën e 6-të nëpërmjet Francis Nahr, por kosovarët arritën të barazojnë rezultatin në minutën e 39-të, me golin e shënuar nga Vedat Muriqi. Në minutat e fundit të pjesës së parë ganezët shpërdoruan një penallti, të cilën e priti portieri Altik Muhaxhiri. Në pjesën e dytë futbollistët kosovarë treguan lojë dukshëm më të mirë, ku spikatën Alban Lekaj i Aintraht Frankfurtit dhe Besart Celina i Mançester Sitit. Mirëpo, edhe në këtë pjesëtojë të parët shënuan ganezët, kur Adiko Princebell shënoi me gjuajtje me kokë, në minutën e 62-të, duke çuar shifrat në 2:1. Mirëpo, kosovarët reaguan shpejt dhe në minutën e 70-të barazuan rezultatin, me golin e shënuar nga Drilon Musajt, pas një asistimi të shkëlqyeshëm të Milot Rashicës. Kësisoj, skuadra finaliste u detyrua të zgjidhet nëpërmjet penalltive, ku goditja e pasaktë e Vedat Muriqit, në goditjen e fundit të serisë së rregullt të penalltive doli të ishte vendimtare për humbjen e Përfaqësueses së Kosovës. Në ndeshjen finale të këtij turneu, që zhvillohet të shtunën në orën 18:00, do të takohen Brazili dhe Gana, pasi brazilianët e mposhtën Egjiptin, 1:0. Ndërkaq, Kosova do të luajë me Egjiptin, për pozitën e tretë, në orën 15:30. Gana – Kosova 2:2 (5:4 pas penalltive) Stadiumi në Bouveret. Drejtuesit e FFK-së në turneun “Valais Youth Cup 2013” Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri i shoqëruar nga nënkryetarët Agim Ademi e Bekim Haxhiu, anëtarët e KE të FFK-së Xhelal Broja e Flamur Bunjaku janë duke i ndjekur nga afër ndeshjet e këtij turneu dhe pas ndeshjes kundër Ganës janë shprehur të kënaqur me paraqitjen e Përfaqësueses U-21. Në mbështetje dhe në vëzhgim të futbollistëve përfaqësues në këtë turne po qëndrojnë edhe përzgjedhësi i Përfaqësueses “A”, Albert Bunjaki, bashkë me trajnerin Muharrem Sahiti. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 6613 |