Toverlani preferon Maqedoninë | ||||
|
Trajneri i skuadrës së Trepçës ’89, Afrim Tovërlani, e ka refuzuar idenë e drejtuesve të klubit për ta vazhduar pjesën e dytë të stërvitjeve në Dubai apo Antalia. Ai ka preferuar më shumë shtetin fqinj, Maqedoninë, për ta vazhduar “mbushjen” e akumulatorëve për stinorin pranveror. “Stërvitjet i kemi filluar më 15 janar. Deri më tash po shkon çdo gjë sipas planprogramit. Drejtuesit e klubit kanë propozuar t’i vazhdojmë përgatitjet në Dubai ose Antalia, por unë kam insistuar të shkojmë në Maqedoni”, ka thënë Afrim Tovërlani.
Pret edhe dy sulmues
Ish-trajneri i Prishtinës, Afrim Tovërlani, pas ardhjes së Valon Aliut nga skuadra e KEK-ut, është në pritje edhe të dy përforcimeve nga Raiffeisen Superliga. Me angazhimin e dy sulmuesve tekniku mendon se skuadra e tij do të jetë e kompletuar për sezonin pranveror. Ndërsa në skuadrën e strategut Afrim Tovërlani janë duke u provuar edhe dy futbollistë njëri nga Kameruni, tjetri nga Novi Pazari, por ata ende nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje me klubin mitrovicas. “Deri tash jemi përforcuar me Valon Aliun, kurse në skuadër janë në prova edhe dy futbollistë, por ende nuk kemi arritur ndonjë marrëveshje. Ndërsa jemi në kontakt me dy lojtarë që luajnë në Raiffeisen Superligë dhe të cilët kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e Trepçës ’89. Por, të shohim se a do të lirohen nga skuadrat e tyre”, ka shtuar Tovërlani, i cili me skuadrën e tij synon të rikthehet në Raiffeisen Superligën e Kosovës në Futboll.
Veton Zymberi
Set as favorite Bookmark Email this Hits: 2947 |