Shoshi : Nuk ma kane imponuar doreheqjen | ||||
|
Trajneri i njohur pejan, Valdet Shoshi, ka folur për thashethemet rreth dorëheqjes së tij nga posti i trajnerit në KF Drenica. Ai ka thënë se dorëheqja ka ardhur si pasojë e obligimeve familjare, e jo ndërhyrjeve të drejtuesve dhe mos dëgjimit të futbollistëve. Shoshi ka bërë me dije se raportet në klub kanë qenë vërtet të shëndosha. “Ka shumë thashetheme rreth dorëheqjes time, por arsyeja e vërtet është se jam larguar per shkak te obligimeve familjare. Me të gjithë në klub kam pasur raporte të mira dhe çdo ka qenë në rregull. Nëse do të kisha pasur probleme me futbollistë, do të kisha bërë përpjekje që t’i rregulluar. Edhe dorëheqjen e kisha parë të rrugës”, ka thënë Valdet Shoshi, duke shtuar ndërkohë se: “Në Drenicë kam bërë shumë miq. Do t’i kisha falënderuar të gjithë në klub, në veçanti tifozët, të cilët na kanë përkrahur vazhdimisht”. Tekniku Valdet Shoshi para gjashtë muajsh kishte ardhur me shumë bujë në krye të skuadrës kuqezi, dhe nga adhuruesit e kësaj skuadre ishte cilësuar si shpëtimtar i skuadrës, por ai u largua kur është pritur më së paku. Ai ka thënë se i vjen keq që është larguar nga skuadra në çastet më të vështira për skuadrën, por ka shprehur mendimin se ka bërë punë të mirë në klub. “Më vjen keq që punën e nisur e lash në gjysmë, por lirisht mund të them se kam bërë një punë të mirë në klub. Kam arritur të bëj ndryshime në lojën e skuadrës dhe kam bërë ndryshim edhe në pranimin dhe shënimin e golave. Gjithashtu, edhe sigurinë dhe vetëbesimin i kam rikthyer në skuadër”, ka shtuar Shoshi, i cili beson se skuadra do të arrijë të mbetet anëtare e elitës së futbollit të Kosovës. Ish-trajneri i Besës, Valdet Shoshi, është trajneri i dytë që ka dhënë dorëheqje nga posti i trajnerit në skuadrën e Drenicës. Një gjë të tillë më herët e kishte bërë edhe Xhafer Dobra. Shoshi ka thënë se nuk janë shqetësuese dorëheqjet e shumta në këtë edicion garash. “Nuk jam në gjendje të flas shumë rreth dorëheqjeve të shumta të trajnerëve në këtë kampionat, por këto ndodhin më shumë shkaku i financave të limituara nëpër klube. Nuk mendoj se janë shumë shqetësuese dorëheqjet e trajnerëve”, ka përfunduar Shoshi.
Veton Zymberi
Set as favorite Bookmark Email this Hits: 2812 |