Elvis Osmani : Trepikëshi, një hap para | ||||
|
Kapiteni i Trepçës, Elvis Osmani, ka thënë se është i kënaqur që skuadra e tij ka filluar stinorin me fitore. “Xehetarët” të dielën që e lamë pas në udhëtim kanë mundur Ferizajn 3-1, duke përforcuar edhe më shumë kreun e tabelës. “Ikona” e mitrovicasve, Elvis Osmani, ka thënë se trepikëshi në Ferizaj është një fillim i mbarë dhe se, ai beson se skuadra e tij do ta vazhdojë serinë e fitoreve edhe në takimet vijuese. “Edhe pse nuk kam luajtur ndaj Ferizajt, ndihem i lumtur që skuadra ime e ka nisur me fitore pjesën e dytë të garave. Trepikëshi në Ferizaj është fillim i mbarë dhe motiv shtesë për takimet e ardhshme. Kjo fitore na përforcon në kreun e tabelës. Serinë e fitoreve duhet ta vazhdojmë edhe në ndeshjet e radhës”, ka thënë Osmani. Sipas tij, gara për titull të kampionit do të zhvillohet në mes të Trepçës, Hysit dhe Besës. Ai thotë se gara për titull është e hapur dhe se, sipas tij, kampionati do të jetë shumë interesant për kreun e tabelës. “Pavarësisht barazimit të Hysit, kjo skuadër edhe më tutje mbetet në luftën për titull të kampionit. Në këtë valle ka hyrë edhe Besa e Pejës. Trepça, Hysi dhe Besa do ta kërkojnë titullin e kampionit. Garat e stinorit të ri sapo kanë filluar dhe se, gjithçka mbetet e hapur”, ka thënë Osmani.
Kërkon fitore ndaj KEK-ut Trepça në fundjavë para publikut të vet do t’i sprovojë forcat me KEK-un. Sipas sulmuesit Elvis Osmani, skuadra e tij në duel me “elektricistët” do ta kërkojë fitoren e dytë në këtë sezon. “Objektiv ynë ndaj KEK-ut do të jetë fitorja. Ne s’guxojmë të gabojmë në terren tonin. Çdo dështim në terren tonin është një hapa prapa, prandaj takimet ndaj KEK-ut do t’i qasemi seriozisht”, ka përfunduar Osmani.
Fatmir Bytyci Set as favorite Bookmark Email this Hits: 2853 |