Ajet Shosholli : Tri javët e ardhshme, vendimtare për Vëllaznimin | ||||
|
Trajneri i Vëllaznimit, Ajet Shosholli, ka thënë se nuk është i kënaqur me rezultatet e arritura të skuadrës së tij në dy javët e para të stinorit pranveror. “Kuqezinjtë” e Gjakovës të dielën që e lamë pas humbën sfidën ndaj Kosovës së Vushtrrisë, duke rrezikuar seriozisht mbijetesën në elitën e futbollit të Kosovës. Vëllaznimi, ky emër i madh i futbollit tonë, aktualisht gjendet në pozitën e fundit të renditjes tabelore me 15 pikë të tubuara, dy më pak se Gjilani, duke rrezikuar seriozisht statusin e anëtarit elitar të futbollit. Sipas Shoshollit, skuadra e tij ka dominuar në duel me Kosovën e Vushtrrisë, por ai thotë se në çastet vendimtare mungonte finalizimi i duhur i aksioneve. “Ndaj Kosovës së Vushtrrisë, pavarësisht se humbëm ndeshjen, dominuan në terren, mirëpo në çastet vendimtare nuk ia dolëm t’i konkretizojmë me sukses sulmet tona, prandaj edhe humbëm pikët në Vushtrri”, ka thënë Shosholli. Ai ka pritur rezultatet më të mira të skuadrës së tij në dy javët e para të këtij stinori. Shosholli beson se të përzgjedhurit e tij do t’u kthehen rezultateve pozitive. “Realisht në dy xhirot e këtij sezoni ka pritur që të arkëtojmë pikë më shumë, veçmas kam pritur që ndaj Drenicës t’i marrim pikët maksimale. Megjithatë, pikët e humbura ndaj Drenicës duhet t’i kompensojmë në ndeshjet e tjera, në mënyrë që të ikim nga zona e rrezikshme”, ka thënë Shosholli. “Vetëm pas javës së pestë të stinorit pranveror ne mund ta shohim qartë pozitën tonë në renditjen tabelore. Besoj se me fondin e lojtarëve që kemi në dispozicion do të dalim nga kriza në të cilën ndodhet skuadra e Vëllaznimit”, ka thënë Shosholli.
Trepikëshi, opsion i vetëm ndaj Prishtinës Gjakovarët në fundjavën që vjen i pret punë e madhe, për faktin se do të ballafaqohen me kampionen në fuqi, Prishtinën. Ish-trajneri i Prishtinës, që tashmë drejton Vëllaznimin, Ajet Shosholli, ka pohuar se skuadra e tij me të gjitha forcat do të kërkojë fitore në duel me kryeqytetasit. Ai thotë se, përveç fitores, asnjë rezultat tjetër nuk është i favorshëm për gjakovarët. “Ndeshja e radhës do të jetë e vështirë, pasi do të ballafaqohemi me Prishtinën. Alternativë e vetëm e jona në këtë takim do të jetë fitorja, sepse asnjë rezultat tjetër nuk shkon në favor të Vëllaznimit”, ka përfunduar timonieri i “kuqezinjve” të Gjakovës, Ajet Shosholli.
Fatmir Bytyci Set as favorite Bookmark Email this Hits: 2651 |