KEK-u / Preniqi: Besojmë në një edicion të suksesshëm | ||||
|
Skuadra e KEK-ut e ka nisur mjaft mirë stinorin pranveror në Raiffeisen Superligë, duke fituar dy prej tri ndeshjeve të para dhe tash renditen në pozitën e gjashtë, e cila në fazën e tretë të garave u siguron një ndeshje më shumë si vendës. “Elektricistët” mposhtën Flamurtarin në kryeqytet 2:1, pastaj humbën në Merdar nga Hysi, 2:3, kurse në fundjavën që e lamë pas fituan ndaj Besës, 4:2. Sulmuesi i KEK-ut, Petrit Preniqi është tejet i kënaqur me atë çfarë ka treguar ai dhe skuadra e tij në këto tri ndeshje. “E kemi nisur mirë këtë stinor. Madje, shumë lehtë kemi mundur që edhe me Hysin të fitojmë, ose së paku të nxjerrim një pikë”, theksoi Preniqi për “albaniasoccer”. “Jemi përgatitur shumë mirë për këtë stinor dhe kemi bërë përforcime të qëlluara, andaj besoj që do ta mbyllim me sukses këtë edicion dhe nuk do të rrezikohemi për mbetje në elitë. Aktualisht jemi në pozitën e gjashtë dhe synojmë të mbesim këtu edhe pas dy ndeshjeve të ardhshme. Javën tjetër udhëtojmë në Gjakovë (kundër Vëllaznimit) për t’u kthyer me rezultat pozitiv dhe pastaj ta kemi më të lehtë në sfidën kundër Lirisë”, shtoi Preniqi, i cili shënoi golin e parë në fitoren kundër Besës. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 4129 |