Afrim Tovërlani : Sukses, nëse pranohemi si anëtarë të përkohshëm | ||||
|
Trajneri i KF Trepça ’89, Afrim Tovërlani, në një intervistë ka thënë se është i kënaqur me punët në skuadrën e re. Ai beson se do ta rikthejë Trepçën ’89 në Raiffeisen Superligën e Kosovës në Futboll. Enis Zaberxhën e favorizon si futbollistin më të mirë në vitin 2009. Hysin e Trepçën i favorizon në luftë për titullin e kampionit. Është i kënaqur me takimin e drejtuesve të FFK-së me ata të FIFA-së. Ndërsa, mendon se, nëse pranohen si anëtarë të përkohshëm, është sukses i madh. “Pranimi i plotë nuk besoj që do të ndodhë edhe dy vjet. Ka kritere që duhet t’i plotësojmë për t’u pranuar. Mirëpo, nëse pranohemi si anëtarë të përkohshëm, mund të themi se është sukses”, ka thënë Afrim Tovërlani.
Si po ju shkojnë punët me skuadrën e Trepçës ’89 ?
Tovërlani: Shumë mirë. Nga gjashtë takime kemi marrë pesë fitore dhe një humbje.
Pas këtyre paraqitjeve të mira, cilat janë synimet e Trepçës ’89 në këtë edicion garash ?
Tovërlani: Synimet tona janë të luajmë futboll të mirë dhe korrekt. Dhe në bazë të këtyre të rikthehemi në Superligë.
Më herët keni qenë trajner i Prishtinës. Mund të na bëni dallimin në mes të skuadrës së Trepçës ’89 dhe Prishtinës ?
Tovërlani: Unë kam ardhur në Mitrovicë pasi ka filluar kampionati. Normal që kësaj skuadre i duhet një lloj “infuzioni” me tre apo katër futbollistë për të qenë stabilë kur të rikthehemi në Raiffeisen Superligë.
Në vitin 2008 jeni shpallur trajneri më i mirë në futbollin e Kosovës. Cilin trajner e favorizoni për këtë vit ?
Tovërlani: Është pak herët të flas, po frikohem mos po i hyj kujt në hak. Të gjithë trajnerët për mua janë të mirë, por tash për tash nuk po di për kënd të them. Ndërsa, sa më përket mua, se a do të jem kandidat për trajnerin më të mirë në këtë vit, kisha dashur ta vlerësojnë të tjerët.
Po nga futbollistët, cili do ta kishe favorizuar ?
Tovërlani: Më lehte është t’i vlerësoj futbollistët. Sulmuesi i Hysit, Enis Zabërxha, kohët e fundit është shquar më tepër se të tjerët.
Në këtë vit kampionati në Superligë është shumë interesant. Cila skuadër i ka gjasat më të mëdha për t’u shpallur kampione ?
Tovërlani: Që nga koha që jam emëruar trajner në Mitrovicë më tepër kam qenë i preokupuar me punët dhe problemet e mia rreth skuadrës. Nuk kam pasur shumë kohë të vëzhgoj ndeshje të Superligës. Kështu që nuk kam ndonjë pasqyrë reale për të thënë kjo apo ajo skuadër. Prioritet imi mbetet skuadra e Trepçës ’89, por edhe skuadra e Hysit po duket skuadër më serioze se të tjerat. Edhe Trepça ka gjasa të mira, është në kreun e tabelës, por asnjë skuadër tjetër nuk e shoh që mund të përzihet në luftë për titullin e kampiones.
Javën e kaluar drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) janë takuar me drejtues të FIFA-së. Cili është komenti juaj ?
Tovërlani: Normal që është pozitiv takimi në mes të FFK-së dhe FIFA-së. Neve na mbetet të punojmë edhe më shumë. E kam thënë edhe më herët se s’kemi nevojë të fshihemi, pasi jemi pranuar nga shumë shtete. Krejt çka bëjmë, duhet të bëjmë haptas, dhe me këmbëngulje duhet të kërkojmë të diskriminohet rinia e Kosovës.
Kur pret të bëhet pranimi i plotë në UEFA dhe FIFA ? Tovërlani: Pranimi i plotë nuk besoj se do të ndodhë edhe dy vjet. Ka kritere që duhet t’i plotësojmë për t’u pranuar. Mirëpo, nëse pranohemi si anëtarë të përkohshëm, mund të themi se është një sukses.
Intervistoi: Veton Zymberi
Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3731 |