Raiffeisen Superliga/ Prishtina mbetet e para | ||||
|
Janë zhvilluar ndeshjet e javës së XXIX në Raiffeisen Superliga. Skuadra e Trepçës i ka dhënë fund serisë prej shtatë ndeshjeve pa fitore, duke e mposhtur KEK-un në Mitrovicë, me rezultat 2-1. Vendasit kaluan në epërsi që në minutën e 3-të me golin e shënuar nga Egzon Emini, por “elektricistët” barazuan shifrat në 1-1, në minutën e 23-të me golin e realizuar nga Mensur Simnica. Megjithatë, fitoren tejet të rëndësishme skuadrës mitrovicase ia siguroi Shpëtim Babaj, në minutën e 51-të nga penalltia. Fitore para tifozëve të vet ka realizuar edhe Liria në duel me Gjilanin. Serinë e golave e hapi Kryeziu në minutën e 2-të. Epërsinë në 2-0 e shtoi Brando, në minutën e 15-të. Gjilanasit arritën të ngushtojnë epërsinë në minutën e 40-të, nëpërmjet Ramushit, derisa rezultatin përfundimtar 3-1 për Lirinë e vendosi Tafili, në minutën e 64-t nga penalltia. Me këtë fitore Liria është ngjitur në pozitën e shtatë dhe mund ta presë më e qetë fundin e kampionatit, derisa gjilanasit përfundimisht i kanë humbur shpresat për mbijetesë. Prishtina ka ruajtur pozitën e parë në renditjen e Raiffeisen Superligës edhe pas javës së XXIX, pasi para tifozëve të vet e ka mposhtur Besën, me rezultat bindës 5-1. Në këtë mënyrë skuadra e drejtuar nga Jusuf Tortoshi ka dy pikë epërsi ndaj Trepçës’89, kur kanë mbetur edhe katër javë deri në mbyllje të kampionatit. Golat për Prishtinën i realizuan Adnan Haxha (17’), Driton Krasniqi (19’), Mentor Mazrekaj (30’), Astrit Fazliu (49’) dhe Faton Zejnullahu (55’), derisa golin e vetëm për pejanët e shënoi Haxhi Zeka (90’). Trepça’89 ka mbajtur hapin me liderin në garën për titull, duke shënuar fitore kundër Dritës në stadiumin “Riza Lushta”, me rezultat 3-2. “Minatorët” krijuan shumë shpejt epërsi prej dy golash nëpërmjet Kastriot Rexhës (14’) dhe Ilir Izmakut (16’), por gjilanasit u kundërpërgjigjën në minutën e 25-të nëpërmjet Florent Sejdiut, duke e ngushtuar epërsinë e vendasve në 2-1. Mirëpo, në pjesën e dytë vendasit shënuan sërish të parët, në minutën e 60-të nëpërmjet Berat Hysenit, derisa mysafirët nuk arritën të bëjnë më tepër se sa ta zvogëlojnë epërsinë e mitrovicasve në 3-2, me golin e Shaqirit në minutën e 88-të. Fitore të rëndësishme ka shënuar edhe Vëllaznimi në duel me Hysin, me rezultat 2-1. Kjo fitore i mban me shpresa gjakovarët për titull, derisa skuadra kampione në fuqi tashmë i ka zvogëluar në minimum gjasat e saj për ta mbrojtur titullin. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3353 |