Raiffeisen Superliga/ Drita dhe Hysi shënuan fitore në shtëpi | ||||
|
Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e para të javës së 9-të në Raiffeisen Superligë, në të cilat skuadrat vendase Drita dhe Hysi kanë shënuar fitore, në përballje me Trepçën, përkatësisht Vëllaznimin. Skuadra e Dritës pas katër barazimeve radhazi ka shijuar fitore para tifozëve të vet kundër Trepçës, me rezultat 4:2. Me këtë fitore Drita është ngjitur në pozitën e tretë me 16 pikë. Mysafirët dy herë ishin në epërsi, por gjilanasit arritën të përmbysin gjithçka. Për skuadrën mitrovicase shënuan Erdin Hashani dhe Visar Shkupolli, por për fitoren e gjilanasve u përkujdesen Genc Sermaxhaj, Emir Rama dhe Ruhan Foniqi me dy gola. Në sfidën tjetër, Hysi e vazhdoi serinë e fitoreve, duke e mposhtur Vëllaznimin, me rezultat 1:0, në një ndeshje të dobët. Golin e vetëm të kësaj sfide e realizoi Bujar Idrizi, në minutën e 44-të. Hysi pas këtij trepikëshi është ngjitur në pozitën e katërt, me 14 pikë. Tri ndeshje të javës së 9-të zhvillohen të dielën, në të cilat takohen: Besa-Liria, Trepça’89-Drenica, Feronikeli-Kosova (V), derisa sfida e fundit e kësaj jave zhvillohet, të hënën, në kryeqytet, ndërmjet Hajvalisë dhe Prishtinës. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 5458 |