Raiffeisen Superliga/ Drenica arkëtoi një pikë në Mitrovicë | ||||
|
Futbollistët e Drenicës kanë arkëtuar një pikë në Mitrovicë, pasi duelin kundër Trepçës, në kuadër të javës së 18-të në Raiffeisen Superligë e kanë mbyllur me rezultat 0:0. Të dyja palët zhvilluan një lojë të pëlqyeshme dhe me disa raste të mira shënimi, por nuk u treguan efikase. Derisa në pjesën e parë më e mirë u shfaq skuadra mitrovicase, duke kërcënuar disa herë portën e Burim Sadikut, në 45 minutat e dytë mbizotëruan plotësisht mysafirët, të cilët patën edhe një mundësi të pastër shënimi në minutën e 60-të, kur Besim Bajraktari nga afërsia nuk arriti ta çojë topin në rrjetë, pasi golin ia mohoi Fetah Ibrahimi, duke e dëbuar topin nga vija fatale. Pas ndeshjes mbrojtësi i Drenicës, Amir Rrahmani u shpreh i kënaqur me epilogun e kësaj sfide. “Nuk është pak një pikë si mysafirë, aq më parë kur dihet se ne luftojmë për mbijetesë. Mendoj se kemi krijuar një skuadër mjaft të mirë dhe në ndeshjet e ardhshme do të tregojmë lojëra edhe më të mira dhe do t’ia arrijmë qëllimit për ta siguruar mbetjen në elitë. Po ashtu, synojmë që të jemi të suksesshëm edhe në garat e kupës. Ndeshjen e ardhshme prapë do ta zhvillojmë si mysafirë, kundër Dritës, por shpresoj se edhe atje do të marrim rezultat pozitiv”, ka theksuar Rrahmani. Ndeshjet e tjera të javës së 18-të zhvillohen, të dielën, në të cilat takohen: Prishtina-Besa, Llamkos Kosova – Hysi, Feronikeli-Hajvalia dhe Liria-Drita. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 6704 |