Raiffeisen Superliga/ Prishtina e Trepça’89 vazhduan me fitore, Besa këndellet kundër Hysit | ||||
|
Dje janë zhvilluar pesë ndeshje në kuadër të javës së 25-të në Raiffeisen Superligë. Prishtina dhe Trepça’89, të cilat po luftojnë për titullin e kampionit kanë shënuar fitoret e radhës para tifozëve të vet. Skuadra kampione në fuqi, Prishtina, ka shënuar fitore të lehtë në duel me Drenicën, me rezultat 5:3. Kuqezinjtë e Skenderajt shënuan të parët në minutën e 6-të, kur Sami Geci u tregua i saktë nga penalltia. Por, prishtinasit u rikthyen shumë shpejt. Fillimisht në minutën e 19-të, Azem Ahmeti i barazoi shifrat në 1:1, po ashtu nga penalltia, pastaj Besnik Krasniqi e kaloi skuadrën bardhekaltër në epërsi, në minutën e 30-të, 2:1. Epërsinë në 3:1 e shtoi Gentrit Begolli, në minutën e 45-të. Golin e katërt për prishtinasit e realizoi Mentor Mazrekaj, në minutën e 47-të, derisa Besnik Krasniqi realizoi golin e tij të dytë në minutën e 61-të. Në minutat e fundit mysafirët u treguan më të mirë, duke shënuar dy gola të shpejtë, nëpërmjet Alban Gucit (80’) dhe Genc Hamitit (82’), duke e zbutur sadopak këtë humbje. Në takimin tjetër në “Riza Lushta”, Trepça’89 arriti ta mposhtë Llamkos Kosovën, me rezultat 3:1. Edhe në këtë ndeshje të parët shënuan mysafirët, kur Labinot Osmani, qysh në minutën e dytë e kaloi Llamkosin në epërsi. Mirëpo, pas këtij goli gjithçka kaloi në shenjë të ‘minatorëve’, të cilët shumë shpejt barazuan shifrat me golin e Isuf Llumnicës (8’), kurse më pas edhe të kalojnë në epërsi nëpërmjet Shpëtim Idrizit (12’). Ndërkohë, fitoren e skuadrës së Gani Sejdiut e vulosi Samir Sahiti, në minutën e 64-t. Pas kësaj fitoreje Trepça’89 mbetet vetëm 3 pikë larg Prishtinës, derisa skuadra vushtrriase mbetet ende njëra prej më të rrezikuarave për rënie nga elita. Besa ka shënuar fitore të rëndësishme në garën për mbijetesë, duke e mposhtur Hysin, me rezultat 1:0. Golin e vetëm në këtë sfidë e realizoi Haxhi Zeka, në minutën e 83-të. Me këtë fitore pejanët i shmangen rrezikut, derisa llapjanët pas këtij dështimi rrezikojnë edhe më shumë statusin e tyre në elitë. Dy ndeshjet e tjera të javës së 25-të kanë përfunduar pa fitues. Skuadra e fundit në renditje, Liria, e cila tashmë ka humbur të gjitha shpresat për mbijetesë, ka arritur të befasojë Dritën, duke rrëmbyer një pikë, me shifrat 2:2. Prizrenasit kaluan në epërsi me golin e Islamit (6’), por Foniqi barazoi në minutën e 17-të. Gjilanasit kaluan në epërsi në minutën 55-të me golin e Abazit, mirëpo futbollistët e rinj prizrenas arritën që lojën e tyre të mirë ta konkretizojnë edhe me golin e barazimit në minutën e 84-t, nëpërmjet Fetahut. Pa fitues u mbyll edhe sfida në Skenderaj, ku Hajvalia shkëputi një pikë në duel me Feronikelin. Skuadra e Bekim Isufit kaloi e para në epërsi me golin e Armend Kastratit, në minutën e 21-të, kurse golin e barazimit për drenicasit e realizoi Elhami Berisha, në minutën e 45-të. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 7030 |