Kush do të jetë futbollisti i vitit 2009 ne Kosove? | ||||
|
Trajneri i nënkampionit vjeshtor, Hysit, Luan Përkitazi, ka thënë se futbollisti më i mirë i vitit 2009 duhet të jetë nga skuadra e Hysit. Më 6 janar Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) do ta bëjë shpalljen e laureatëve më të mirë për vitin 2009. Zgjedhja e më të mirëve për vitin që po e lëmë pas bëhet nga trajnerët e Superligës së Kosovës në Futboll. Sipas Prekazit, këtë epitet e meritojnë treshja e Hysit, Enis Zaberxha, Mentor Zhdrella dhe Labinot Osmani. “Unë si trajner i Hysit nuk kam drejt të votoj për futbollistët e mi, por mendoj se njëri nga treshja e Hysit, Zaberxha, Zhdrella e Osmani, meritojnë ta fitojnë garën për futbollist të vitit. Nga kjo treshe realisht duhet të dalë më i miri i këtij viti”, ka thënë Prekazi.
Hoxha : Zeka meriton epitetin e më të mirit
Genc Hoxha, një tjetër trajner elitar i futbollit tonë lidhur me shpalljen e më të mirit për vitin 2009, ka thënë se janë disa lojtarë që meritojnë këtë çmim. Por, sipas tij, kapiteni i Besës, Haxhi Zeka, meriton të fitojë këtë garë. “Mendoj se për çmimin e lojtarit më të mirë do të garojnë disa lojtarë. Behar Maliqi (Prishtina), Ymer Xhaferi (KEK), Mentor Zhdrella, Enis Zaberxha (Hysi), Elvis Osmani (Trepça), Dukagjin Gashi (Drenicë) dhe Haxhi Zeka (Besa), janë lojtarët që do të jenë pjesë e garës për t’u shpallur lojtar i vitit”, ka theksuar Hoxha, i cili ka shtuar se “Haxhi Zeka, ndonëse në moshë të shtyrë, megjithatë, sipas Hoxhës, meriton të zgjidhet futbollist i vitit”. “Zeka ka dhënë kontribut të çmueshëm në skuadrën e Besës. Pikërisht në kohën kur nga skuadra shkuan shumë lojtarë, megjithatë Besa në fund të edicionit doli të jetë nënkampione e Kosovës, dhe se, më meritori për këtë sukses ishte pikërisht Zeka, prandaj ky lojtar meriton të shpallet futbollist i vitit”, ka thënë Hoxha.
Sokoli : 13 lojtarë në garën për futbollist të vitit
Trajneri i KEK-ut, Bylbyl Sokoli, lidhur me zgjedhjen e më të mirëve për këtë vit ka theksuar në këtë vallë janë rreth 13 lojtarë. “Ndonëse në futbollin e Kosovës jam rikthyer në sezonin vjeshtor dhe se, nuk i njoh mirë të gjithë lojtarët, megjithatë, mendoj se: Ymer Xhafri (KEK), Mentor Zhdrella (Hysi), Faton Zejnullahu (Flamurtari), Bushaj (Vëllaznimi), Florent Sejdiu, Duraku, Elvis Osmani (Trepça), Fitim Krusha (Liria), Liridon Hasani (Gjilan), Haxhi Zeka (Besa), Livoreka (Ferizaj), Dukagjin Gashi (Drenicë), dhe Behar Maliqi (Prishtinë) janë lojtarët të cilët janë shquar në këtë edicion. Nga ky numër i lojtarëve duhet të dalë më i miri i këtij viti”, ka thënë Sokoli.
Shengyli : Duhet t’i analizoj mirë futbollistët
Ndryshe, trajneri i Prishtinës, Skënder Shengyli, përkitazi me zgjedhjen e futbollistit të vitit, ka thënë se duhen analizuar mirë futbollistët. “Realisht më duhet pak kohë, në mënyrë që t’i analizoj futbollistët se kush meriton të jetë futbollisti numër një në Kosovë. Nuk dua që askujt t’i hyj në hatër, prandaj nuk do të përmend asnjë emër të lojtarëve”, ka thënë Shengyli.
Fatmir Bytyçi
Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3623 |