KF “Renova” fitoi titullin e kampiones së Maqedonisë | ||||
|
“Renova” shqiptare “shkel” maqedonasit KF “Renova” me suksesin e arritur dëshmoi se koha e skuadrave si: Rabotniçki, Makedonia GJ, Vardarit tashmë ka ikur. ‘Renova’ ka futur një frymë të re në futbollin e Maqedonisë. Kjo skuadër pas këtij suksesi ka hapur rrugën drejt Evropës, për faktin se do të jetë pjesë e ndeshjeve kualifikuese në Ligën e KampionëveTetovë, 17 maj - Saktësisht në orën 18:24, kur gjyqtari i ndeshjes “Renova” - Rabotniçki i dha fund takimit, nisi festa e madhe në Tetovë. KF “Renova” është skuadra e parë shqipetare që prek majat e futbollit të Maqedonisë. Skuadra nga Xhepçishti, e themeluar pak më shumë se pesë vjet, shpallet kampione e Maqedonisë. Pasditen e së shtunës të gjitha rrugët çonin drejt stadiumit të Tetovës. Shqipetarët nga e gjithë Maqedonia, por edhe nga viset e tjera shqipetare, këtë pasdite përjetuan festën që shumë moti e kishin pritur. “Ka shumë vjet qe e pres këtë ditë. Sot jam njeriu më i lumtur, sepse një ekip shqiptear ‘shkeli’ maqedonasit”, thoshte një person i shtyrë në moshë. Atmosfera në shkallët e stadiumit të qytetit të Tetovës ishte vërtet festive. Për rreth tri orë kënga dhe vallet s’pushuan. Çdokund flitej shqip! Këtë ngjarje ta madhe për shqipetarët nga afër e prekën edhe personalitetet e njohur të politikës, në krye me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmetin, përfaqësues të ambasadave, deputetë, kryetarë komunash, ministra, komplet drejtuesit e FFM-së në krye me Haralampije Haxhiristevskin. Nuk munguan as njerëzit e estradës, pa harruar edhe delegacionin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), në krye me Fadil Vokrrin kryetar. Shumë gazetarë të mediave të ndryshme shfrytëzuan mjaft mirë pushimin prej 15 minutash të ndeshjes duke intervistuar legjendën e gjallë të futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri. Njeriu që i kishte mposhtur skuadrat e mëdha të ish-Jugosllavisë (Cervena Zvezdën, Partizanin, Dinamon e Zagrebit, Hajdukun e Splitit) ndihej i lumtur që një skuadër shqipetare arrin të shpallet kampione e Maqedonisë. Idrizi i lumtur që KF “Renova” bëhet fuqi në futbollin e Maqedonisë Njeriu që ka bërë gjithçka që skuadra KF “Renova” të shpallet numër një në Maqedoni, është pronari i klubit, Shefki Idrizi. Ai bashkë me kompaninë e tij s’kursyen asgjë që vetëm e vetëm një ekip shqipetar të bëhet fuqia e futbollit maqedonas. “Kompania ‘Renova’ edhe në sport dëshmoi se njeh vetëm cilësi. KF ‘Renova’ me një profesionalizem të madh ia doli të bëhet lidere në futbollin e Maqedonisë. Kjo e arritur është rezultat i investimeve që bën kompania ‘Renova’ në fushën e sportit”, ka thënë Idrizi. “Jam jashtëzakonisht i lumtur që sot një skuadër shqipteare bëhet fuqi në futbollin e Maqedonisë”, tha Idrizi. I gëzuar tej mase me suksesin e arritur të KF “Renova”, shprehej edhe vëllai i Shefki Idrizit, Qenani (nënkryetar i Federatës së Futbollit të Maqedonisë). “Kemi kaluar shumë sfida gjatë këtij kampionati për të ardhur deri te ky sukses. Jam i bindur se rrugët tona të sukseseve do të vazhdojnë edhe në të ardhmen”, ka thënë Qenan Idrizi. Statovci në “qiellin e shtatë” Njëri nga futbollistët kryesorë në radhët e skuadrës KF “Renova” padyshim është edhe kosovari Faruk Statovci. Ai u shpreh shumë i lumtur që skuadra e tij arriti të bëhet kampione. “Jam jashtëzakonisht i kënaqur që ia dolëm të bëhemi kampionë. Falë punës së madhe që kemi bërë të gjithë, arritëm objektivin tonë: titullin e kampionit”, ka thënë Statovci. Emini: Titulli - sukses i madh për të gjithë shqipetarët Kupën e titullit të kampionit, kapitenit të KF “Renova”, Vullnet Eminit, ia dha kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), Haralampije Haxhiristevski. “Më në fund adhuruesit e futbollit në Tetovë arritën t’i gëzohen titullit të kampionit të Maqedonisë. Është ky një sukses shumë i madh për të gjithë shqipetarët. Premtoj se nuk do ta zhgënjejmë publikun tonë edhe në paraqitjet tona në ndeshjet preliminare të ligës së kampionëve”, ka thënë kapiteni Vullnet Emini. KF “Renova” me suksesin e arritur dëshmoi fuqishëm se koha e skuadrave si: Rabotniçki, Pelisterit, Makedonia GJ, Vardarit tashmë ka ikur. KF “Renova” ka futur një frymë të re në futbollin e Maqedonisë. Kjo skuadër pas këtij suksesi ka hapur rrugën drejt Evropës, për faktin se do të jetë pjesë e ndeshjeve kualifikuese në Ligën e Kampionëve. KF “Renova” do të jetë skuadra shqipetare që do ta nisë “aventurën” e ligës më të fortë në kontinentin plak, Ligën e Kampionëve. Festa e madhe shqipetare të shtunën mbrëma ka vazhduar deri në orët e vona në Tetovë. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 8787 |