Maqedonia/ Ndërpritet sfida Drita-Euromilk, arbitrat masakrojnë bogovinasit | ||||
|
Ndeshja e balotazhit ndërmjet Dritës dhe Euromlikut e vlefshme për kompletimin e Ligës së Parë të futbollit vendor nuk ka pritur fundin e saj, pasi në minutën e 73-të skuadra e Dritës ka lëshuar terenin e pakënaqur nga ndarja e drejtësisë nga treshja e arbitrave në krye me Dalibor Gjeorgjieskin nga Kumanova. Ndërprerja ka ardhur në minutën e 73-të kur arbitri Gjeorgjieski mezi priti të referojë penalti të dyshimtë për Euromlikun dhe karton të kuq për portierin e Dritës, Mustafa. Kanë qenë të pamjaftueshme protestat nga tabori i Dritës, të cilët morën edhe një tjetër karton të kuq me Xhaferin që u përjashtua si rezultat i protestave, para se të vendosin që të tërheqin ekipin drejt zhveshtoreve. Pasi pritën kohën që parasheh rregullorja, arbitrat treguan fundin e ndeshjes, e cila mbetet të zgjidhet në tavolinë. “Turp i rradhës për futbollin e Maqedonisë. Ky ishte skenar i përgatitur prej më parë dhe arbitrat që në fillim të takimit nisën ta realizojnë. Kishte shumë vendime diskutabile në dëm të Dritës, ndërsa penaltia dhe kartoni i kuq ishin vula e marëzive. Ne nuk do të lëmë këtë punë me kaq, pasi jemi të bindur për të kërkuar drejtësinë në të gjithë organet kompetente. Nëse është nevoja, për këtë gjë do të njoftohen edhe UEFA dhe FIFA”, deklaroi për Alsat-M, presidenti i Dritës, Abedin Aliti. Sa i përket takimit, Drita hapi keq përballjen, pasi Euromilku kaloi në epërsi në minutën e 11-të me anë të Pandovskit, ndërsa në fund të pjesës së parë i njëjti futbollist shënoi për 2:0. Drita mbeti pa trajnerin Beqiri në pauzën mes dy pjesëve pas portestave drejt arbitrave pas një goli të anuluar të cilët si duket në këtë ndeshje kishin ardhur me qëllim për të dëmtuar ekipin shqiptar. Në fillim të pjesës së dytë, Drita arriti të zbusë rezultatin në 1:2 me anë të Xhaferit, mirëpo një minutë më vonë pranoi tjetër gol për negativë 1:3, autor Mickov. Në minutën e 64 u kthyen paqartësitë në rezultat kur Drita me anë të Nuhiut shënoi për 2:3 dhe me të gjithë forcat u hodh në kërkim të barazimit, por ndeshja nuk vazhdoi edhe për shumë kohë, pasi në skenë dolën arbitrat që dëmtuan ekipin shqiptar. Mbetet të shihet cili do të jetë epilogu i kësaj sfide, që hap shumë polemika në lidhje me rregullësinë e këtij kampionati. Në sfidën tjetër të balotazhit, Pelisteri me një gol të Dimitrovskit ka mundur 1:0 Skopjen, duke rruajtur statusin në Ligën e Parë. Marrë nga Alsat-M Set as favorite Bookmark Email this Hits: 6850 |