Në Shqipërinë eksperimentale përballë Kamerunit kishte edhe disa konfirmime. Më i rëndësishmi ishte aktivizimi i Etrit Berishës, si numër 1. Portieri i Kalmarit fitoi garën për vendin titullar në portë me Ujkanin dhe këtë e ka realizuar duke bindur në shanset që i janë dhënë.
Në barazimin 0-0 kundër “luanëve afrikanë”, Berisha zhvilloi ndeshjen e katërt me Kombëtaren, ndërsa më mbresëlënëse është ecuria e tij, ku ende nuk ka pësuar gol.
Në total bëhet fjalë për 315 minuta lojë të rregullt: më saktësisht tre ndeshje si titullar, me Iranin, Slloveninë dhe së fundmi me Kamerunin dhe një si zëvendësues në pjesën e dytë të miqësores me Andorrën.
23-vjeçari është kthyer në një garanci për portën dhe trajneri De Biasi tashmë e preferon edhe përpara Ujkanit, pavarësisht se ky i fundit luan te Palermo në Serinë A.
Etrit Berisha është i sigurt në dalje, i saktë në ndërhyrje dhe ka fatin nga ana e tij. Edhe ky i fundit, është një element shumë i rëndësishëm, ashtu siç u pa me Kamerunin.
Me paraqitjen në Gjenevë, në sytë e shumë menaxherëve të huaj, portieri rriti edhe më shumë kuotat e tij në Kombëtare, ndërsa qëndrimi i tij te Kalmari në Suedi duket çështje javësh. Klubet e interesuara për ta blerë janë gati të lëvizin prej merkatos së janarit, ndërsa tani një destinacion i mundshëm është edhe kampionati italian, ndërsa në Angli kërkohet nga Fulhami.
|