Vllaznia/ Kujtim Shaba : Vllaznia lujti per vete dhe jo per Skenderbeun | ||||
|
Eshtë Tirana, rivalja më e fortë e korçarëve në këtë rrugë, ajo që akuzon. Por në vorbullën e polemikave është përfshirë edhe Vllaznia, e cila akuzohet për aleancë me Skënderbeun, që e ka shtyrë të luajë fort ndaj bardhebluve në “Qemal Stafa”, ku mori një barazim. Por drejtuesit e lartë shkodranë kanë përgënjeshtruar gjithçka, pasi sipas tyre “po të ishim pjesë e aleancave, Vllaznia do të ishte në gjysmëfinale dhe jo e eliminuar”. Dje ka reaguar administratori i përgjithshëm Kujtim Shaba, i cili ka qenë shumë i indinjuar për fjalët që kanë qarkulluar. “Duket se sot është kthyer në një mekanizëm shumë të lehtë për të akuzuar këdo për çfarëdo, ndërsa për t’i faktuar këto akuza është tejet e vështirë. Çfarë nuk kemi dëgjuar apo lexuar nëpër gazeta gjatë ditëve të fundit për barazimin e marrë nga ana jonë në kryeqytet. Së pari, do t’u thoja të gjithë atyre që mendojnë se ne kemi luajtur për Skënderbeun, se asgjë në këtë mes nuk është e vërtetë. Vërtet pika e marrë nga Vllaznia ndaj Tiranës, i ka shërbyer korçarëve për t’u ngjitur në krye të klasifikimit, por realisht ne nuk jemi pjesë e asnjë lloj aleance, se po të ishte ashtu, ne do të ishim në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Së dyti mund të garantoj të gjithë opinionin sportdashës në gjithë Shqipërinë se Vllaznia, të hënën, ka luajtur për vete dhe jo për korçarët. Jemi në ato pozita, që neve na duhen pikët dhe jo e kundërta. Nuk kemi pasur asnjë kontakt me drejtuesit e Skënderbeut për një gjë të tillë, aq më tepër për të hyrë në pazare nga më të ndryshme siç mund të pretendojnë zëra të ndryshëm në media, se gjoja Vllaznia ka marrë lekë nga korçarët për pikën e fituar në kryeqytet. Gjithashtu nuk na rezulton asnjë informacion që elementë të ndryshëm të kenë pasur kontakte me lojtarët tanë për këtë çështje apo këdo tjetër në klubin tonë. I garantoj të gjithë dhe një herë tjetër se Vllaznia do të luajë pastër deri në fund të këtij sezoni futbollistik”, ka mbyllur prononcimin e tij administratori i përgjithshëm i klubit shkodran, Kujtim Shaba. Sikurse është përfolur në media, shkodranëve u ishin premtuar shuma të mëdha parash nga Skënderbeu, por që Shaba i ka mohuar. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3477 |