Kategoria Superiore/ Skenderbeu barazon, Teuta nuk perfiton | ||||
|
Skënderbeu është ndalur në një barazim pa gola në Ballsh kundër Bylisit, por sërish ka ruajtur kreun e renditjes, duke përfituar nga barazimi i Teutës përballë Kamzës. Asnjë prej dy skuadrave që kryesojnë Superligën nuk ka arritur të shënojë gol në ndeshjet e djeshme, ç'ka i jep më shumë shanse ekipit korçar për të arritur kampionatin. Në dy javët e mbetura, Skënderbeu do të ndeshet me Apoloninë në shtëpi dhe Pogradecin në transfertë, në dy sfida që duke parë diferencën mes ekipeve, nuk duken edhe aq të vështira. Sa i përket takimit të djeshëm, Bylisi ka bërë një qëndresë të fortë përballë miqve, madje ka shënuar edhe një gol, që më pas i është anuluar. Korçarët pësuan në këtë ndeshje fatin e shumë skuadrave të tjera të mëdha, që nuk kanë arritur të marrin dot pikë në Ballsh. Me pikën e marrë dje, Bylisi bën një hap shumë të rëndësishëm drejt qëndrimit në Superligë, pasi Tomori i vendit të 10-të, ndodhet 4-pikë larg, kur mbeten edhe dy javë deri në fund. Një tjetër gafë e Teutës në betejën për titullin kampion. Pas humbjes me Laçin, durrsakët kanë barazuar dje 0-0 me Kamzën, në një ndeshje ku ata do të ishin rikthyer në krye në rast se nuk do të kishin fituar. E në fakt, dëshira nuk u ka munguar futbollistëve të drejtuar nga Hasan Lika, por edhe njëherë, pasaktësia përpara portës dhe qëndrimi në prapavijë i kundërshtarit, bëri që ata të mos arrinin të shënonin dot për herë të dytë radhazi. Teuta mbetet 1 pikë pas korçarëve, ç'ka e bën marrjen e titullit një mision shumë të vështirë. Në takimet e tjera të luajtura dje, spikat fitorja 5-0 e Flamurtarit në fushën e tij përballë Dinamos. Vlonjatët kanë kërkuar fitoren për të siguruar pjesëmarrjen në Evropë dhe e kanë arritur atë shumë lehtë. Shpresa e bluve që Flamurtari të toleronte, ka rezultuar e kotë, pasi skuadra e Muçës varej shumë nga ajo çfarë ndodhte në përballjen mes Kastriotit dhe Laçit. Krutanët u mundën 0-1 në fushën e tyre, falë një goli të shënuar nga Emurllai në minutën e 12-të, duke e bërë thuajse të pamundur arritjen e vendit të katërt, që do të thotë pjesëmarrje në Europa League. Pas takimeve të djeshme, Flamurtari është 5 pikë përpara, gjë që do të thotë se vlonjatët me shumë mundësi do të jenë në Evropë. Ndërkohë, Laçi thuajse e ka siguruar qëndrimin në Superligë, pasi ka 33 pikë. Duke llogaritur 10 pikët e hequra, kurbinasit mund të ishin në zonat e larta në këto momente. Në ndeshjen tjetër të luajtur dje, Vllaznia ka barazuar 0- 0 në shtëpi ndaj Tomorit, duke mos e siguruar dot qëndrimin në kategori direkt as pas kësaj jave. U luajt java e 24-t e Kategorisë Superiore, e cila ka sërish në krye Skënderbeun e Korcës, që kësaj here ishte mysafir në Ballsh, ku nuk ka shkuar më tej se barazimi i bardhë 0-0, i ndjekur nga "djemtë e detit" të Hasan Likës, që mbeten të dytët, me një pikë më pak, teksa u ndeshën në shtëpi me debutuesit kamzalinj, duke regjistruar po ashtu barazim të bardhë. Të dyja këto skuadra vijojnë ende betejën për fitimin e titullit kampion, ndërkohë që javën e shkuar ishte dorëzuar Tirana në këtë drejtim, pas humbjes në derbin me Dinamon. Bardheblutë kanë barazuar edhe javën e 24-t, duke ndarë nga një pikë me Shkumbinin. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3447 |