Flamurtari/ Ardi Behari: Kemi kualitetet për të marrë kualifikimin | ||||
|
“Përmbysje, përmbysje!!!”. Kjo është motoja e lojtarëve të Flamurtarit, të cilët dje kanë udhëtuar drejt Budapestit, ku do të duhet të përballen të enjten ndaj Honvedit në ndeshjen e kthimit, e vlefshme për turin e parë të Europa League. Në ndeshjen e parë, të luajtur në Vlorë, ata janë mundur me rezultatin e ngushtë 1-0, në një ndeshje ku kanë dominuar nga fillimi deri në fund, por janë ndëshkuar nga një gol i befasishëm në momentin më të mirë. Misioni i kuqezinjve shqiptarë nuk duket i pamundur, nëse krahasojmë potencialin që të dyja skuadrat dhanë në fushën e lojës të enjten e kaluar, por te Flamurtari janë të bindur se kualifikimi është shumë i mundshëm, dhe ai do të vijë falë një fitoreje në shtëpinë Honvedit. “Kemi bërë një paraqitje shumë të mirë në ndeshjen e parë ndaj hungarezëve të Budapest Honvedit, por u ndëshkuam nga një episod i ndeshjes, i cili vendosi të gjithë takimin, – u shpreh pak para nisjes drejtori teknik i Flamurtarit, Ardi Behari. Ishte një humbje e pamerituar për ne, pasi dominuam të gjithë lojën, krijuam shumë raste për shënim, por nuk u treguam të saktë para portës”. “Megjithatë, pas asaj që pamë në ndeshjen e parë, kundërshtari nuk është i një niveli më të lartë se sa ne, madje nuk ka asgjë më shumë për t’u pasur zili. Ne kemi një ekip shumë të mirë, me potencial që e tregoi qartë në fushë në sfidën e parë, prandaj jam i bindur se jo vetëm që do të bëjmë një lojë të mirë, por shpresojmë shumë të sigurojmë kualifikimin. E dimë që i kemi kualitetet për ta bërë këtë, e rëndësishme është që të bëjmë lojën tonë”, nënvizoi në fund drejtori teknik i Flamurtarit, Ardi Behari. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3470 |