Disiplina/ Besa dënohet me 6 ndeshje në fushë asnjëanëse | ||||
|
Besa e paguan shtrenjtë faturën e marrjes me çdo kusht të një rezultati përballë Skënderbeut. Kavajasit arritën të barazonin 1-1 në shtëpi përballë kampionëve në fuqi, në një sfidë mjaft të tensionuar si në fushë ashtu edhe në tribuna, ndërsa në mënyrë të paevitueshme vijnë edhe ndëshkimet për skuadrën verdhezi. Prej sendeve të forta të hedhura në fushën e lojës, që shkaktuan ndërprerjen përfundimtare të lojës, si edhe prej ofendimeve të spektatorëve, Komisioni i Disiplinës e ka ndëshkuar Besën me ndalimin e zhvillimit të gjashtë ndeshjeve në fushën e saj. Kjo do të thotë që kavajasit do të jenë të detyruar të luajnë në fushë asnjëanëse dhe sipas kalendarit verdhezinjtë nuk do të kthehen në stadiumin “Besa” deri më 16 mars të vitit 2013. Megjithatë, prej hapësirave që ekzistojnë në rregulloren e futbollit shqiptar, efektivisht dënimi mund të shlyhet me zhvillimin e tre ndeshjeve në fushë asnjëanëse, ndërsa gjysma e mbetur e tij mund të konvertohet në gjobë financiare. Nëse kjo do të ndodhë, atëherë Besa do të ketë mundësi të luajë në shtëpi prej datës 23 shkurt, në sfidën përballë Shkumbinit. Dënimi i penalizon kavajasit që aktualisht renditen në vendin e dytë në Superligë, me 15 pikë, 6 më pak se Skënderbeu. Dënimi ndaj Besës merr përmasa edhe më të mëdha prej pezullimit të trajnerit Ilir Daja. Drejtuesi i stolit verdhezi është skualifikuar për dy ndeshje dhe u gjobit me 100 mijë lekë të rinj për protestat dhe ofendimet ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3304 |