Kategoria Superiore/ Kampionët triumfojnë 1-0 në Gjirokastër | ||||
|
Në të katër anët e Shqipërisë fiton dhe bind, ndonëse shpesh shoqërohet me dyshime lidhur me gjykimin e ndeshjeve të tij. Skënderbeu bëri detyrën si kampion duke fituar 1-0 në Gjirokastër ndaj Luftëtarit dhe duke u shkëputur 9 pikë nga vendi i dytë. Kuotën e 30 pikëve bardhekuqtë e trajnerit Josa e arritën falë një goli të shënuar nga sulmuesi Sebino Plaku, ndërsa vazhdojnë të jenë skuadra e vetme pa humbje në 12 javë kampionat. Nga 12 ndeshje kanë barazuar vetëm 3. Ndeshja në qytetin jugor pati edhe dritë, edhe hije dhe skuadra vendase në pjesën e dytë e meritoi emrin Luftëtar, pasi u përpoq me çdo mënyrë, madje edhe kur mbeti me 10 lojtarë në fushën e lojës. Stoja, Çaço dhe sërish Stoja mund të kishin barazuar, ndërsa goditja erdhi kur pikërisht Çaço u nxorr nga loja me karton të kuq për një faull taktik. Një gol i vetëm edhe në Laç ku vendasit kurbinas jo vetëm fituan ndaj Teutës, por edhe kapën Kukësin e vendit të dytë, duke pasur edhe ata 21 pikë. Fati i kësaj përballjeje u vendos nga një gol i çuditshëm shënuar nga Nimani, që nuk u mor vesh nëse shënoi me kokë, me trup apo me dorë, por gjithsesi realizoi. Më tej, vendasit mund të kishin shënuar sërish, por Vucaj humbi 11-metërshin, ndërsa gjuajtja e tij u prit nga portieri mik Rizvani. Fitore e bukur dhe e pamenduar e Apolonisë në Fier ndaj Besës. Kavajasit shënuan të parët me anë të lushnjarit Sefa dhe u mendua se do të fitonin, por Ndoni e Ribaj përmbysën gjithçka. Në renditje, Skënderbeu ka 30 pikë, Kukësi e Laçi nga 21, Teuta 20, Tirana 19 dhe Bylis 18. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3664 |