Kategoria Superiore për edicionin 2012-2013 ul siparin. Nuk është se pritej ndonjë gjë në javën e XXVI, pasi të gjitha enigmat ishin zbuluar. Dy ekipet e kreut dhuruan bollëk golash në Kukës, plot 7 të tillë, katër për vendësit dhe tre për kuqebardhët. Kujtojmë se verdiktet e këtij kampionati janë të tilla: Skënderbeu kampion për të tretin sezon radhazi, Kukësi debutues për herë të parë në Superiore shpallet nënkampion i vendit, ndërsa Teuta renditet e treta. Të tria këto skuadra përfshihen në “zonën europiane”, ndërsa katër skuadrat që i thonë lamtumirë Superiores janë: Apolonia, Tomori, Luftëtari dhe Shkumbini. Në këtë drejtim ndoshta mund të kemi edhe ndonjë surprizë, sepse presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, është nën hetim nga Prokuroria për trukime ndeshjesh. Nëse kjo vërtetohet, atëherë skuadra kavajase do të detyrohet të zbresë një kategori më poshtë, duke lumturuar kësisoji peqinasit. Që përfitojnë indirekt. Tashmë nga ky sezon futbollistik ka mbetur për t’u luajtur vetëm finalja e Kupës së Shqipërisë, mes Bylisit dhe Laçit, dy skuadra që e shijojnë për herë të parë në historinë e tyre këtë event futbollistik. Më 17 maj, në orën 20:00, në ndërkombëtarin “Qemal Stafa”, kurbinasit dhe ballshiotët do të luajnë ndeshjen e jetës, pas së cilës do të mësojmë edhe fituesin e trofeut të dytë më të rëndësishëm kombëtar, që vlen pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Në kampionatin e Superiores janë shënuar në total 427 gola, nga të cilët 41 me penallti. Më shumë se të tjerët, gjashtë 11-metërsha i ka shndërruar në gol Igli Allmuça i Kukësit, ndërsa pesë të tilla kanë autorësinë e Migen Memellit të Flamurtarit. “Këpucën e Artë” të Superiores e fiton sulmuesi i Flamurtarit, Migen Memelli me 19 gola, i ndjekur nga Popoviç, serbi i nënkampionëve të vendit, me 16 gola. Atmosfera në Kukës Atmosfera në “Zeqir Ymeri” të Kukësit ishte inkadeshente. Të dyja skuadrat i kishin arritur objektivat e tyre, ndaj këtë të shtunë viheshin përballë njëra-tjetrës më shumë për prestigj, duke qenë se e presin finishin e garës si dy kryesuese, njëra pas tjetrës. Ka pasur koncert, të ftuar, shampanjë, birra dhe festë në stadium dhe jashtë tij. Kuksianët për herë të parë në historinë e tyre festojnë në sport, një festë që do të mbahet mend gjatë. Kukësi do të luajë në Europë dhe pritet që tifozët të gëzojnë sërish. Ndërsa nesër në qytetin e Korçës do të vijojë festa me Skënderbeun, ku të gjithë tifozët e këtij ekipi do të festojnë nëpër rrugët e qytetit titullin e tretë radhazi.
JAVA e 26-TË LUFTËTARI-SHKUMBINI 1-2 Nora 90+2′ / Lluca 18′, Mile 70′ (pen) BYLISI-BESA 1-1 Izuçuku 31′ / Poçi 60′ APOLONIA-FLAMURTARI 0-0 VLLAZNIA-KASTRIOTI 2-0 Guri 58′, Vecaj 89′ KUKËSI-SKËNDERBEU 4-3 Alikaj 43′, Popoviç 45’, 64′, Allmuça 81′ (11-m) / Pejiç 25′, Lilaj 47′, Shkëmbi 74′ 09.04.2013 TOMORI-TEUTA 4-1 10.04.2013 LAÇI-TIRANA 0-0
RENDITJA PERFUNDIMTARE 1 Skënderbeu 58 2 Kukësi 52 3 Teuta 48 4 Flamurtar 46 5 Tirana 43 6 Vllaznia 38 7 Laçi 38 8 Kastrioti 34 9 Besa 32 10 Bylis 30 11 Shkumbini 29 12 Tomori 19 13 Luftëtari 19 14 Apolonia 13
|