MLS/ Hamdi Salihi shenon golin e peste | ||||
|
Hamdi Salihi kthehet te goli në Major League Soçer, aktivitetin elitar të futbollit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Afro një muaj e gjysmë pas golit të fundit ndaj Torontos në kampionat, pa llogaritur rrjetën në Kupën e Amerikës me Riçmond, sulmuesi shqiptar ka shënuar sërish. Këtë Salihi e ka bërë në ndeshjen që DC United ka mposhtur Montreal Impakt, skuadrën ku aktivizohet ish-sulmuesi i Juventusit, Marko Di Vaio. Kuqeziu realizoi rrjetën e tretë të takimit, në minutën e 91-të, duke vulosur shifrat përfundimtare 3-0. Takimi i luajtur në Uashington u zhbllokua në minutën e fundit të pjesës së parë, me Pontius, që realizoi një gol mjaft të bukur nga pozicion i prirët. Ndërkohë, kur kronometra tregonte 50-minuta, DC United dyfishoi shifrat me Rasëll, që gjeti devijimin e saktë me kokë. Në këtë takim Salihi u aktivizua sërish si zëvendësues, në minutën e 78-të, megjithatë shkodranit i mjaftuan vetëm 12-minuta në fushë për të shënuar. 28-vjeçari ishte iniciator i aksionit të golit të tretë për DC United dhe arriti ta dërgonte topin në rrjetë, pas pritjes së portierit Bush ndaj tentativës së De Leon. Ky ishte goli i pestë për Hamdi Salihin në 15-ndeshje të MLS-së ku sulmuesi i Kombëtares shqiptare është aktivizuar. Kuqeziu vazhdon të shënojë, edhe pse hapësirat kanë qenë mjaft të kufizuara, pasi ai ka qenë titullar vetëm në 9 takime, për një total prej 778 minutash. Ndërkohë, me fitoren 3-0 përballë Montrealit, DC United është rikthyer e vetme në krye të klasifikimit të Konferencës së Perëndimit me 33-pikë të grumbulluara, dy më tepër se Nju Jork Red Bull, ku aktivizohet ylli francez, Tierri Hanri. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 2051 |