Ne fokus/ Këndon himnin shqiptar, Xhaka nervozon zviceranët | ||||
|
Talenti kosovar, Granit Xhaka, sezonin e ardhshëm do të luajë me Borusian e Mynshengladbahut. Në këtë klub praktikohet një ritual që të gjithë futbollistët të këndojnë para kolegëve të tyre nga një këngë që zgjedhin vetë. Xhaka ka zgjedhur të këndojë himnin kombëtar shqiptar. Dhe kjo ka ngjallur nervozitet te gazeta zvicerane “Blick am Sonntag”, e cila e ka intervistuar Xhakën me pretekstin për të mësuar më shumë rreth kësaj çështjeje. I pyetur përse ka kënduar himnin shqiptar, Xhaka ka thënë se, “që fëmijë i mësojmë disa këngë të caktuara. Dhe, sinqerisht, është kënga e vetme që mundem ta këndoj edhe pse, vetëm strofat e para… Shokët e mi të skuadrës u befasuan, pasi ata nuk e dinin që prindërit e mi vijnë nga Kosova”. Ndërsa pyetjes përse nuk ka zgjedhur të këndonte himnin e Zvicrës, Graniti i është përgjigjur se nuk e dinte tekstin e tij. “Kur kam qenë fëmijë natyrisht nuk e kam mësuar, pasi prindërit e mi nuk janë rritur në Zvicër”. Më tutje gazetari i ka bërë vërejtje, duke i kujtuar se ai është duke luajtur për kombëtaren zvicerane, por Xhaka është përgjigjur: “Unë them gjithmonë: Ndihem 80% si zviceran dhe 20% si kosovar. Unë jam zviceran, por rrënjët e mia janë pjesë e imja dhe ashtu do të mbeten përgjithmonë. Unë nuk kam asnjë problem në lidhje me këtë”. Por, shumë njerëz në Zvicër nuk e shohin me sy të mirë që ju të këndoni himnin shqiptar”, ishte pyetja e radhës e gazetarit, për të cilën Xhaka ka theksuar: “Mua më duhet të jetoj me këtë. Unë kam prejardhjen që kam dhe i qëndroj asaj. I dua të dy vendet me gjithë zemër. Nëse dikush mendon me një shpirtngushtësi të tillë, unë nuk kam çfarë të bëj. Dhe, ka edhe zviceranë autoktonë që nuk dinë ta këndojnë himnin zviceran. Mua, thjesht, më duket e vështirë për ta mësuar, por, të jem i qartë: Unë dua dhe do ta mësoj atë”, përfundoi Xhaka. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 2176 |