Futbollistët shqiptarë kanë qenë protagonistë në disa prej kampionateve europiane ku militojnë, me gola të rëndësishëm. Lojtarët shqiptarë, të cilët janë pjesë e Kombëtares kuqezi, apo kandidatë për një vend në skuadrën e drejtuar nga Xhani De Biazi kanë shfaqur formë mjaft të mirë sportive.
Ai që vazhdon të shkëlqejë është Edmond Kapllani në Bundesligën 2 gjerame. Sulmuesi shqiptar ka shënuar golin e tretë në harkun e dy javëve, duke i dhënë FSV Frankfurtit fitoren 1-0 Erzgebirge Aue.
Kapllani shënoi në minutën e 87-të të ndeshjes, në një aksion të gjithin shqiptar, pas asistit të dhënë nga mesfushori Odise Roshi. Në këtë mënyrë, sulmuesi i dha tri pikë të tjera shumë të rëndësishme FSV Frankfurtit dhe i dërgon sinjale të qarta teknikut De Biazi, pasi u la jashtë për dy ndeshjet e para kualifikuese.
Një tjetër lojtar që kërkon të bindë De Biazin është edhe Bekim Bala. Sulmuesi është aktivizuar si titullar në sfidën që Sparta e Pragës fitoi 1-0 përballë Hradec Kralov. Shkodrani i përfaqësueses U-21 shënoi në minutën e 38-të, ndërsa qëndroi në fushë për 77 minuta. Kjo ishte rrjeta e dytë sezonale e Balës në Gambrinus Liga.
Ndërkohë, në Ukrainën e largët, Ahmed Januzi e justifikon grumbullimin në Kombëtare me golin e shënuar në barazimin 2-2 që Vorskla Poltava regjistroi përballë Dnjepër Dnipropetrovskit. Sulmuesi, ashtu si edhe mbrojtësi kuqezi Dallku luajti përgjatë gjithë 90 minutëshit, ndërsa realizoi rrjetën e barazimit në minutën e 82-të.
Së fundmi, festë ka pasur edhe në LigënPro italiane për Ledian Memushajn. Mesfushori ishte autori i njërit prej tre golave të Leçes në fitoren 3-2 përballë Kremonezes. Ai gjeti rrugën e rrjetës në të 31-tën, ndërsa mbetet një kandidat potencial për Kombëtaren shqiptare. Kel Naraci
|