Iran/ Sukaj nuk di të ndalet, sërish gol për Sepahanin | ||||
|
Xhevahir Sukaj nuk di të ndalet në Iran. Sulmuesi shkodran ka shënuar dje një tjetër gol për Sepahanin, në fitoren 4-1 që arriti në transfertë kundër Gafar Zagros. Në minutën e 9-të, Sukaj kaloi në avantazh skuadrën e tij pas një goditjeje me të majtën brenda zonës. Ai e nisi takimin si titullar, ndërkohë që mesfushori Ervin Bulku nuk u aktivizua. Lojtari i Kombëtares shqiptare mungoi për shkak të një dëmtimi që pësoi pak ditë më parë në takimin e Ligës së Kampioneve të Azisë kundër Al Nasr. Në minutën e 65-të, kur rezultati ishte 3-0 për Sepahanin, Sukaj u zëvendësua nga trajneri Zllatko Kranjçar. Sulmuesi po kalon një formë të shkëlqyer dhe goli i djeshëm ishte i 10-ti për të në kampionatin iranian. Nga 29 ndeshje të këtij sezoni, Sukaj ka luajtur në 25 prej tyre, teksa shpesh e ka nisur edhe nga stoli. Mirëpo, përtej faktit që nuk ka qenë titullar konstant, ai është golashënuesi më i mirë i skuadrës, me 10 gola. Katër ditë më parë Sukaj shënoi dy herë ndaj Al Nasr, duke konfirmuar se po kalon një moment fantastik. Tashmë nuk dihet nëse golat e tij do ta bindin trajnerin e Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, për ta rikthyer shkodranin te kuqezinjtë. Sukaj është në pritje të një ftese, pasi ka bindjen se e meriton të jetë pjesë e Kombëtares. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 2034 |