Itali/ Kastrati kalon provën te Peskara, gati firma | ||||
|
Prova disaditore në Itali te skuadra e Peskarës ka rezultuar e suksesshme për Elham Kastratin, portierin 16-vjeçar të të rinjve të Teutës. Djaloshi durrsak do ta vijojë karrierën në futbollin italian, që është një shkollë e madhe për nxjerrjen e portierëve cilësorë. Stafi teknik i skuadrës përtej Adriatikut ka dhënë 'OK'-in për talentin shqiptar, të cilit tashmë i hapet dera kryesore për të ngjitur shkallët e karrierës në futboll. Burime pranë Teutës dhe vetë lojtarët bëjnë të ditur që në fund të javës Elham Kastrati pritet të nënshkruajë kontratën profesioniste me skuadrën, tashmë të rënë në Serinë B, ndonëse kanë mbetur për t'u diskutuar vetëm disa detaje të vogla. Djaloshi 16-vjeçar dy vitet e fundit ka rënë në sy edhe të trajnerëve të përfaqësueseve të moshave, teksa është grumbulluar nga Xhemal Mustedanagiç dhe Foto Strakosha, respektivisht trajnerë të U-17 dhe U-19. Një vit më parë ai u shpall kampion me Teutën U-19, trofe të cilin të rinjtë durrsakë mund ta fitojnë edhe këtë sezon. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 2026 |